Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vijoi sot takimet e këshillimit me komunitetin e prindërve. Takimi i radhës ishte nëshkollën “Kosova” në Tiranë, ku Ministrja bisedoi me komitetin e prindërve të kësaj shkolle pjesë e këshillave të prindërve në bazë klase dhe shkol
Këto takime synojnë të adresojnë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.
Gjatë diskutimit, Ministrja trajtoi një sërë çështjesh që lidhen me ndikimin e teknologjisë në edukimin e fëmijëve dhe masat për të garantuar sigurinë e tyre.
“Ne kemi nisur një tur të komunikimit në të gjitha shkollat tona për të adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e fëmijëve brenda dhe jashtë shkollës.
Një prej shqetësimeve më të mëdha për prindërit është ndikimi negativ i platformave si TikTok dhe Snapchat mbi sjelljet dhe reagimet e fëmijëve, sidomos në grupmoshat më të vogla. Aksesi në teknologjinë digjitale është gjithnjë në rritje, duke kërkuar një angazhim të përbashkët nga familja, shkolla dhe komuniteti për të rritur vigjilencën në të gjitha hapësirat ku fëmijët qëndrojnë, mësojnë dhe luajnë.”
Duke folur për masat konkrete që po ndërmerren nga Ministria, Manastirliu shtoi: “Në këtë drejtim, kemi ngritur një rrjet mbrojtës që përfshin familjen, prindërit, mësuesit, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla. Falë këtyre mekanizmave, gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë raportuar dhe parandaluar 2030 raste të dhunës dhe bullizmit kibernetik.
Për të fuqizuar më tej këtë rrjet ne tashmë jemi duke vlerësuar paketën e protokolleve të punës. Jemi duke punuar, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre viteve, për të rritur numrin e punonjësve socialë, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla. Po ashtu, jemi duke punuar që, në kuadër të angazhimeve të reja dhe planit buxhetor, të rriten këto numra, duke pasur në vëmendje efektivitetin maksimal.
Kjo do të realizohet përmes një angazhimi të përbashkët mes mësuesve, oficerëve të sigurisë dhe psikologëve në shkolla. Për këtë arsye, do të kemi edhe një trajtim të posaçëm nga pikëpamja e informacionit digjital për prindërit, lidhur me këto role të rëndësishme në shkollë.”
Ministrja Manastirliu u ndal edhe te roli i teknologjisë në përmirësimin e komunikimit mes prindërve dhe shkollës, duke theksuar:
“Platforma si e-Albania dhe sistemi SMIP janë shembuj konkretë se si teknologjia mund të shërbejë për informimin e prindërve mbi ecurinë akademike të fëmijëve, sjelljet dhe prirjet e tyre. Jemi duke punuar për ta bërë këtë sistem edhe më interaktiv, duke siguruar që informacionet të transmetohen në kohë reale mes prindërve, mësuesve dhe oficerëve të sigurisë. Kjo do të ndihmojë jo vetëm për të monitoruar performancën akademike, por edhe për të identifikuar dhe adresuar shqetësimet që mund të lindin.”
Në lidhje me edukimin qytetar dhe digjital, Ministrja nënvizoi rëndësinë e Kornizës së Re Kurrikulare:
“Ne, si Ministri e Arsimit dhe Sportit, tashmë kemi përfunduar dhe miratuar Kornizën e Re, që përfaqëson modernizimin e kornizës kurrikulare. Një nga shtyllat kryesore të kësaj kornize dhe një pikë shumë e rëndësishme është rishikimi i teksteve lidhur me Edukimin Qytetar, duke përfshirë edukimin ligjor, edukimin mediatik dhe atë digjital. Këto elemente janë thelbësore, duke filluar patjetër nga tekstet, por edhe duke parë mënyrën se si do të kombinohet mësimdhënia përmes orëve mësimore dhe atyre të hapura, interaktivitetit në klasë, ushtrimeve dhe grupeve që punojnë në mënyrë të pavarur për tema specifike të lidhura me edukimin qytetar.”
Ministrja ngriti edhe çështjen e rreziqeve që sjellin rrjetet sociale për fëmijët, duke propozuar diskutime të thelluara mbi politikat e kontrollit dhe kufizimit të aksesit.
“Duhet të marrim vendime të përbashkëta si komunitet për të mbrojtur fëmijët tanë nga ndikimet negative të rrjeteve sociale. A është e nevojshme të mbyllim këto platforma apo të vendosim kufizime për moshën? Ky është një diskutim që duhet ta zhvillojmë së bashku, duke ndërgjegjësuar prindërit për rëndësinë e vendosjes së shembujve pozitivë dhe të komunikimit të vazhdueshëm me fëmijët.”
Ministrja tha se do të vijohet të investohet në infrastrukturë dhe në programe edukative.
“Do të vijojmë me investime për programe si ‘Art dhe Zeje’, Shkolla Qendër Komunitare dhe pilotimin e programeve passhkollore nga viti i ardhshëm.
Dhe për të mbajtur fëmijët lidhur me shkollën me mësuesit, me jetën sociale është gjithashtu edhe programi i shkollave verore që do ta pilotojmë.”
Ministrja u ndal dhe bashkëpunimet me institucione tëtjera për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që paraqet interneti.
“Kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara në adresimin e përmbajtjeve të papërshtatshme online përmes instrumentave të zhvilluar nga Autoriteti për Mbrojtjen Kibernetike (ACESK). Ky autoritet ka siguruar një ecuri të mirë në raportimin dhe mbylljen e faqeve apo profileve të papërshtatshme bazuar në denoncimet që na kanë ardhur. Gjithashtu, linjat telefonike ALI 111 dhe 116, të mbështetura nga MSHMS, janë krijuar për të trajtuar rastet e dhunës, bullizmit dhe çdo formë tjetër abuzimi. Këto linja kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke bërë të mundur raportimin dhe parandalimin e rreth 7,000 rasteve të bullizmit online deri më tani. ”
Ministrja Manastirliu në fund ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe institucioneve për të garantuar sigurinë e fëmijëve.