Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në ceremoninë e nisjes së vitit të ri akademik 2025-2026 në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku përcolli urimet e saj për studentët, pedagogët dhe stafet akademike në mbarë vendin.
Në fjalën e saj, Kumbaro vlerësoi traditën dhe rolin e universitetit të Shkodrës, të cilin e përshkroi si një institucion që ka ditur të ruajë ekuilibrin mes trashëgimisë arsimore dhe përshtatjes me ndryshimet e kohës, duke u bërë shtëpi e studentëve nga trevat shqiptare dhe pjesë e bashkëpunimeve ndërkombëtare.
19,671 studentë të regjistruar deri tani
Sipas ministres, deri më 5 tetor janë regjistruar 19,671 studentë në universitetet shqiptare, ndërkohë që procesi i regjistrimeve vijon me raundin e dytë dhe të tretë.
Kumbaro theksoi se pas një dekade nga reforma e arsimit të lartë, është koha për një rishikim të ligjit, për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për të përmirësuar standardet e cilësisë në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe Kërkimit Shkencor.
“Me reformën e arsimit të lartë, kemi siguruar cilësinë e institucioneve tona arsimore, ç’ka do të thotë një garanci për diplomën tuaj nesër. Por një dekadë pas asaj shkundje të sistemit, ka ardhur koha për ta rishikuar ligjin e arsimit të lartë. Standardet e cilësisë do të sigurohen në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe të Kërkimit Shkencor, duke bërë që diplomat tuaja të vlerësohen globalisht,” tha Kumbaro.
Ajo shtoi se ngritja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë është një simbol i fuqishëm i këtij procesi, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër rajonale të dijes dhe duke shërbyer si katalizator për universitetet e vendit.
Dyfishim i mbështetjes për kërkimin shkencor
Ministrja njoftoi se fondet për kërkimin shkencor janë rritur pesëfish nga viti 2021 në 2024, ndërsa investimet për infrastrukturën kërkimore pothuajse janë dyfishuar.
“Synojmë të dyfishojmë investimet për laboratorë modernë, të mbështesim doktoraturat për të rinjtë dhe do të mbajmë të hapur ftesën për kolegët akademikë të diasporës sonë,” theksoi ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Kumbaro uroi studentët dhe pedagogët për një vit të mbarë akademik dhe i dhuroi lule pedagogut me më shumë përvojë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, profesor Fatmir Vadohaj.