Pensionet në Shqipëri do të rriten këtë tetor në masën 2.5%, një nivel më i ulët krahasuar me vitet e kaluara. Ky indeksim përputhet me rritjen e përgjithshme të çmimeve në treg gjatë vitit të fundit.
Kjo do të thotë se një i moshuar që përfiton 25,000 lekë në muaj, nga tetori do të marrë 25,600 lekë. Sipas llogaritjeve, pensioni mesatar në qytet do të rritet rreth 500 lekë, ndërsa në fshat rreth 300 lekë.
Vendimi për indeksimin e pensioneve pritet të miratohet gjatë kësaj jave. Indeksimi i pensioneve kryhet çdo vit për t’i ndihmuar të moshuarit të përballojnë rritjen e çmimeve, sidomos të ushqimeve.
Për krahasim, në tetor 2023 pensionet u rritën me 8.6%, ndërsa në 2024 me 4.1%. Aktualisht, rreth 720 mijë të moshuar përfitojnë pensione pleqërie ose lloje të tjera pensionesh në sistemin e sigurimeve shoqërore.



