Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me tone ironike ndaj deklaratës së kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve u shpreh se “ka humbur babanë në detyrë”, duke e krahasuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja me një “aksident pune”.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani e ka cilësuar këtë deklaratë si “mufkë pa fund”, duke ironizuar se fjalimi i kreut të KLGJ-së i ngjante “Kontrollit Punëtor të kohës së PPSH-së”.
“Nuk e di, qesha por edhe u hidhërova shumë kur e pashë këtë copëz raportimi.
Mufka pa fund të zotërisë që ngjante jo me Këshillin e Lartë Gjyqësor, por me Kontrollin Punëtor të kohës së PPSH-së”, – shkruan Manjani.
Ai e konsideroi të papranueshme që vrasja e një gjyqtari të barazohet me një aksident në vendin e punës, duke shtuar se një arsyetim i tillë “e banalizon rëndë” ngjarjen.
“Kryetari i Kontrollit Punëtor alias KLGJ mendon se vrasja e gjyqtarit ishte aksident në punë!
Arsyetimi i tij është se meqë edhe babai i tij u aksidentua në punë, edhe gjyqtari ashtu iku nga kjo jetë!
Më tej akoma, na fton të jemi bashkë në këtë budallëk!
Nuk u aksidentua Astrit Kalaja, por e vranë. Ai që shtiu me armë është vrasës, jo aksidentues”, – theksoi Manjani.
Në fund të reagimit, ish-ministri ironizoi edhe deputetët që ishin të pranishëm në seancë, duke shtuar me sarkazëm se “Top Channel gjeti një personazh të ri për Portokallinë”.