Dobësimi i vazhdueshëm i monedhës europiane në tregun valutor shqiptar ka shtyrë Bankën e Shqipërisë të rrisë ndërhyrjet në treg gjatë vitit 2026, duke planifikuar tërheqjen e një sasie më të madhe valutore krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas kalendarit zyrtar të ndërhyrjeve në tregun valutor, për vitin 2026 parashikohet që Banka e Shqipërisë të blejë nga 330 deri në 450 milionë euro, rreth 100 milionë euro më shumë se në vitin 2025.
Në total, gjatë këtij viti janë planifikuar rreth 26 ankande, ndërsa ndërhyrjet më të mëdha pritet të zhvillohen gjatë sezonit veror, periudhë kur rriten ndjeshëm prurjet valutore në vend si pasojë e fluksit të lartë të turistëve.
Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë si qëllim kryesor forcimin e rezervës valutore të vendit, por edhe stabilizimin e kursit të këmbimit, në një kohë kur euro ka shfaqur një trend të qëndrueshëm dobësimi përballë lekut.
Forcimi i lekut dhe rënia e euros gjatë vitit të kaluar lidhen kryesisht me prurjet e mëdha nga turizmi, të cilat vetëm në 9 muaj arritën vlerën e rreth 4.5 miliardë eurove.
Sipas ekspertëve, një kurs më i dobët i euros ndikon pozitivisht në uljen e borxhit të jashtëm të qeverisë dhe në mbajtjen nën kontroll të inflacionit nga Banka Qendrore. Megjithatë, ky zhvillim sjell humbje të ndjeshme për bizneset eksportuese, të cilat realizojnë shitjet jashtë vendit në euro.
Aktualisht, 1 euro këmbehet rreth 95.6 lekë në tregun valutor shqiptar.



