Nga 1 janari 2026, siguracioni i automjeteve do të pësojë ndryshime të rëndësishme. Drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar aksidente gjatë vitit do të paguajnë më shumë, ndërsa ata që nuk kanë pasur incidente do të përfitojnë një ulje në siguracion.
Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, sqaroi se sistemi i ri “bonus-malus” synon të shpërblejë drejtuesit e përgjegjshëm dhe të ndëshkojë ata që shkaktojnë dëme.
“Mund të mos jetë perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve. Që prej 1 janarit 2026 do të hyjë në zbatim si bonusi, ashtu edhe malusi. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8%, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus”, deklaroi Kaçi.
Sigurimi i detyrueshëm i banesave, në konsultim
Kaçi foli edhe për projektligjin e sigurimit të detyrueshëm të banesave, i cili është aktualisht në fazë konsultimi.
“Është një nismë shumë e mirë, ofron mbulim minimal për banesat sipas një niveli të caktuar. Qytetarët mund të shtojnë edhe më shumë nëse dëshirojnë. Ky është një sigurim bazë që do të ndihmojë në raste fatkeqësish”, shtoi ajo.
Ligj për kriptomonedhat, deri në fund të vitit
Drejtuesja e AMF-së njoftoi gjithashtu se po përgatitet një draftligj për rregullimin e tregut të kriptomonedhave, i cili pritet të publikohet për konsultim publik deri në fund të këtij viti.
“Kemi punuar për draftimin e ligjit. Në grupin e punës janë përfshirë AMF, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Ekonomisë. Synimi është që deri në fund të vitit të dalë për konsultim publik,” tha Kaçi.
Aktualisht, veprimtaria me kriptomonedha nuk është e lejuar në Shqipëri, dhe vetëm gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme sekuestroi mbi 11 milionë euro të fituara nga aktivitet i paligjshëm në këtë fushë.



