back to top
19.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Prill, 2025
spot_img
KreuAktualitetBotaKush e bindi Trump-in të marrë pjesë në funeralin e Françeskut?/ Prapaskenat...

Kush e bindi Trump-in të marrë pjesë në funeralin e Françeskut?/ Prapaskenat e 4 orëve brenda Shtëpisë së Bardhë

Mëngjesin e 21 prillit, Amerika u zgjua me lajmin për vdekjen e Papës.

Në Shtëpinë e Bardhë u aktivizua protokolli i përdorur në raste zie që konsiderohen të rëndësishme për vendin. Donald Trump firmosi menjëherë urdhrin e përgatitur më parë për uljen e flamujve kombëtarë në gjysmë shtize në të gjitha ndërtesat federale, përfshirë vetë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin.

Më pas nisi një ditë në shumë pjesë të saj surreale.

Trump publikoi menjëherë në platformën e tij “Truth” një mesazh të shkurtër ngushëllimi, pastaj doli në kopshtin e rezidencës presidenciale, ku gjithçka ishte gati për festën tradicionale të “Easter Egg Roll”, e cila përfshin një garë mes fëmijëve: fiton ai që arrin i pari në finish duke shtyrë vezët e dekoruara të Pashkëve me një shkop. Me këtë rast mijëra persona mund të ndjekin lojërat nga parku publik që kufizohet me “South Lawn” të Shtëpisë së Bardhë.

Askush nuk e mori në konsideratë anulimin apo të paktën shtyrjen e festës për shkak zie. Ndoshta sepse do të ishte e vështirë të menaxhohej turma që tashmë kishte mbushur zonën pas gardheve mbrojtëse.

Por me siguri, toni i përdorur nga Trump mund të kishte qenë ndryshe. Rreth mesditës, ai mori fjalën nga ballkoni që shikon nga hapësira e gjelbër. Ai e lavdëroi Françeskun si një “njeri të ndershëm”, ndërkohë që pranë tij një person i veshur si lepur vazhdonte të lëvizte veshët e mëdhenj dhe të përshëndeste fëmijët. As lepurit askush nuk i tha gjë.

Festa vazhdoi siç ishte planifikuar. Presidenti iu afrua zonës së rrethuar ku ndodheshin gazetarët dhe kamerat. Dikush e pyeti: “A do të shkoni në funeralin e Papës?”, Trump u përgjigj: “Ende nuk e di, do të flasim për këtë, duhet të shohim nëse do të kemi kohë.” Qysh në mëngjesin e djeshëm dihej që varrimi do të mbahej gjatë fundjavës: të premten ose, siç u vendos më vonë, të shtunën.

Çfarë kishte aq urgjente Trump në agjendën e tij për fundjavën?

Arratisja e zakonshme drejt njërit prej resorteve të tij për të luajtur golf.

Në orët në vijim, dikush nga këshilltarët ose ministrat duhet t’i ketë tërhequr vëmendjen presidentit që do të ishte i vetmi nga liderët e mëdhenj perëndimorë që do të mungonte në një moment historik.

Kush e bindi përfundimisht Trump-in? Qarkullojnë disa hipoteza. E para përmend zëvendëspresidentin J.D. Vance, i cili ishte lideri i fundit që kishte takuar Papën. Vance, shumë katolik, thuhet se këmbënguli për domosdoshmërinë e shkuarjes në Romë dhe, nëse do të ishte e nevojshme, do të ishte gati të përfaqësonte SHBA-të në vend të Trump-it. Edhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, theksoi që nuk do të ishte e përshtatshme të lihej bosh vendi i rezervuar për Amerikën.

Në orën 15:58, Trump vendosi, duke njoftuar me entuziazëm pjesëmarrjen në funeral, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Melania.

Tani, me diskrecion dhe pak ndrojtje, diplomacitë evropiane po kontaktojnë Shtëpinë e Bardhë për të tentuar të organizojnë takime menjëherë pas Meshës në Shën Pjetër. Për shembull, atë samit mes BE-së dhe SHBA-së, i propozuar javën e kaluar nga Giorgia Meloni në bisedën e saj me Trump-in.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat