Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar situatën aktuale si “krim të vazhdueshëm shtetëror” dhe duke përmendur me emra disa drejtues të sistemit të drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal te çështja e gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën tha se ka pasur probleme me ligjin dhe ka mashtruar në formularët zyrtarë. Sipas tij, megjithëse ekzistojnë dokumente dhe pretendime për shkelje ligjore, institucionet përkatëse nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura.
“E morët vesh se ILD-ja njoftoi se do të hapë proces disiplinor për masë disiplinore. Me gjithë dokumentet që ajo është e dënuar në gjykatat e Greqisë. Me gjithë dokumentacionin se ajo ka mashtruar në formularët zyrtarë të vetingut, të dekriminalizimit dhe të ILDKP-së”, deklaroi Berisha.
Ai iu referua nenit 6 të Kushtetutës, duke theksuar se sipas tij, personat që kanë shkelur ligjin nuk mund të mbajnë funksione në organet kushtetuese. Berisha akuzoi gjithashtu drejtues të institucioneve të drejtësisë për mosveprim dhe përpjekje për të relativizuar dokumentet e paraqitura.
Në deklaratën e tij, ai përmendi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela, si dhe rejtuesin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi duke i akuzuar për moszbatim të ligjit dhe për mbrojtje të paligjshmërisë.
“Vula apostile është vulë e sanksionuar në traktate ndërkombëtare dhe ajo nuk mund të vihet nga askush në diskutim përveç Altin Troplinit, i cili është vëlla siamez në moral dhe çdo gjë me Irena Gjokën.
Ata janë si me qenë binjakë siamezë të dy.
Pra, vazhdon, jemi në rrethanat e krimit të vazhdueshëm shtetëror, i cili implikon Altin Troplinin, Irenën me 5 mbiemra, Olsin e Prokurorisë së Përgjithshme, Olsi Çelën, prokurorin e përgjithshëm, kreun e KLGJ, Rusi, i cili nuk mund të lexojë Kushtetutën në paturpësinë e tij ekstreme, të lexojë vulat apostile, por edhe pasi ia çoi Prokuroria e Përgjithshme se kjo ka mashtruar, nuk guxoi, i urdhëruar nga Surreli, nga Edi Rama, se tani kur i përmend emrin asaj të shoqes, është gabim se është Edi që përcakton gjërat, pra, nuk guxon të marrë vendimin si KLGJ dhe thotë se duhet ta shqyrtojë ILD-ja, famoze, e cila thuhet se nuk shqyrton asnjë ankesë”, tha Berisha.
Berisha përmendi edhe kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për ndikim politik mbi institucionet e drejtësisë. Sipas tij, çështja është dërguar për kompetencë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, një institucion që ai pretendon se nuk shqyrton ankesat në mënyrë efektive.
Në përfundim, Berisha e cilësoi situatën si një “narkoshtet” dhe deklaroi se, sipas tij, në historinë moderne nuk ekziston një shtet me një strukturë të tillë funksionimi.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur reagim zyrtar nga institucionet e përmendura lidhur me akuzat e ngritura nga kreu i opozitës.



