Një ngjarje e rëndë tronditi këtë të hënë drejtësinë shqiptare, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Tiranë. Autori i ngjarjes fillimisht u identifikua si Gjon Shkambi, por sipas Policise, është Elvis Shkambi, i cili plagosi edhe dy persona të tjerë, babë e bir, që ndodheshin në sallë.
Elvis Shkambi është djali i Gjon Shkëmbit, i njohur për konfliktet e ashpra mbi pronat në Shkodër. Pikërisht ky proces gjyqësor kishte përballë familjen Shkëmbi me familjen Kurtaj, çka dyshohet të ketë sjellë shpërthimin e dhunës fatale brenda sallës së gjyqit.
Emri i Gjon Shkambit nuk është i panjohur. Dy vite më parë, 31 familje në Shkodër e kishin denoncuar publikisht, duke pretenduar se ai u kishte marrë shtëpitë në mënyrë të paligjshme. Banorët deklaronin se Shkambi kishte thyer banesat dhe i kishte kërcënuar për të liruar godinën ku ata jetonin prej vitit 1992, me një vendim të bashkisë së Shkodrës, që i kishte sistemuar në ish-shkollën e rezervave të ndërtimit.
Në atë kohë, pas akuzave, Shkambi reagoi për mediat, duke thënë se ishte pronari ligjor i godinës dhe se posedonte dokumentacion të rregullt. Ai pretendonte se pronat i kishte fituar përmes proceseve gjyqësore dhe kërkonte që policia dhe përmbarimi të lironte godinat në favor të tij.
Megjithatë, në vitin 2020, zyra private e përmbarimit kishte refuzuar ekzekutimin, duke argumentuar se dokumentet e pronësisë së Shkambit ishin të falsifikuara. Çështja mbeti pezull në dyert e institucioneve, ndërsa konfliktet midis Shkambit dhe banorëve vazhduan.
Banorët organizuan edhe protesta para komisariatit të policisë, duke akuzuar Shkambin për dhunë dhe hyrje pa leje në banesat e tyre. Madje, ata publikuan video ku ai shihej duke hyrë në shtëpitë që ata i quanin të tyret, ndërsa ai vetë ngulte këmbë se ishte pronar i ligjshëm.
Ngjarja e sotme në Gjykatën e Apelit, ku Shkambi ekzekutoi gjyqtarin Astrit Kalaja, pritet të hedhë më shumë dritë mbi konfliktet e shumta ligjore dhe pretendimet e tij për pronat në Shkodër.