back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKush po e blen Shqipërinë?/ Lista e emrave që marrin miliona me...

Kush po e blen Shqipërinë?/ Lista e emrave që marrin miliona me një firmë

Etleva Skonja

Ligji për Investimet Strategjike i miratuar në vitin 2015, i menduar për të tërhequr kapital të huaj dhe zhvillim ekonomik, është kthyer në një instrument për t’i dhënë në përdorim për dekada prona publike një grupi të ngushtë biznesmenësh vendas dhe figurash të lidhura me politikën dhe showbizin. Shqipëria strategjikisht po jepet me copa.

Nga bregdeti te resortet luksoze, nga plantacionet agroindustriale tek marina turistike, pas një dekade zbatimi të ligjit të shumë-debatuar për investimet strategjike, bilanci flet qartë: 85% e përfituesve janë shqiptarë, shumë prej tyre me lidhje të forta politike apo akses në qendrat e vendimmarrjes. Vetëm 2 investitorë të huaj rezultojnë se kane përfituar drejtpërdrejt statusin “strategjik”. Shqipëria duket se po ndahet mes një elite të vogël me fuqi dhe influencë.

Emrat e njohur që kanë marrë statusin strategjik

Samir Mane (BALFIN Group), një nga njerëzit më të pasur në vend, ka përfituar këtë status për projektet “Green Coast Resort” në Palasë dhe “New Born” në Gjirin e Lalzit përmes kompanisë Mane TCI. Zona bregdetare më elitare po urbanizohet përmes rezidencave luksoze, jashtë kontrollit të komunitetit dhe jashtë debatit publik.

Shefqet Kastrati, një tjetër emër me fuqi të madhe ekonomike në vend, e ka shtrirë perandorinë e tij nga energjia, nafta, aeroportet, hotelleria dhe media. Projektet e tij janë miratuar njëri pas tjetrit si “strategjike”, ndërsa pushteti lokal dhe qëndror i ka dhënë dritën jeshile pa shumë transparencë.

Por lista nuk ndalet me ta. Aktori Gazmend Paja, producenti Turjan Hyska, trashëgimtarja e Top Channel Lori Hoxha, apo bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, Artan Gaçi, janë pjesë e një grupi të vogël figurash që kanë përfituar të drejtën për të ndërtuar hotele, komplekse banimi dhe struktura turistike përgjatë bregdetit apo në zona me interes të lartë.

“Strategjikë” me lidhje politike?

Në shumë prej rasteve, projektet e shpallura “strategjike” kanë ngjallur dyshime për klientelizëm, veçanërisht kur përfshirja e figurave të lidhura me politikën është e dukshme.

Rasti më i diskutuar është ai i Artan Gaçit, bashkëshortit të Olta Xhaçkës, e cila mbante postin e ministres së Jashtme kur ai përfitoi statusin për një projekt në bregdet. Kjo solli jo vetëm debate publike, por edhe hetime për konflikt interesi, të cilat nuk u finalizuan me përgjegjësi konkrete.

Shqipëria në sytë e miliarderëve të huaj

Ndër investitorët e huaj që kanë hyrë në këtë listë është Atlantic Incubation Partners LLC, një kompani e lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Më 30 dhjetor 2024, qeveria shqiptare i miratoi projektin për ndërtimin e një resorti me vlerë 1.4 miliard euro në Ishullin e Sazanit dhe në Zvernec. Edhe pse një projekt i përmasave të mëdha, mungesa e transparencës dhe detajeve publike rreth kushteve të marrëveshjes ka ngritur pyetje serioze.

A është ky modeli i zhvillimit që Shqipëria ka nevojë?

Në letër, statusi strategjik jepet për investime që tejkalojnë një prag të caktuar financiar dhe që pritet të sjellin ndikim të madh ekonomik, hapje vendesh pune dhe zhvillim infrastrukturor. Por praktika ka treguar se një pjesë e konsiderueshme e këtyre projekteve janë fokusuara në ndërtimin e resorteve luksoze në zonat më të pasura me natyrë, shpeshherë pa studime mjedisore serioze apo konsultim me komunitetin lokal.

Në shumë raste, projektet përfshijnë dhënie në përdorim për 99 vjet të pronave publike, pa garë dhe me çmime simbolike. Kjo e ka kthyer ligjin në një mekanizëm të ndarjes së pasurive të përbashkëta në mënyrë selektive.

Ndërkohë që resorte shumëkateshe, marina turistike dhe vila private po zënë vendin e zonave të mbrojtura apo vijës bregdetare, qytetarët shqiptarë ndihen gjithnjë e më të përjashtuar. Plazhet publike po zvogëlohen, prona publike po kalon në duar private dhe aksesin mbi natyrën po e merr një pakicë me pushtet financiar e politik.

Një Shqipëri për të gjithë apo për pak?

Nëse vijon kjo qasje, Shqipëria rrezikon të mos jetë më një vend për të gjithë, por një territor i ndarë mes grupeve të interesit. Ligji për investimet strategjike duhet rishikuar me urgjencë për të vendosur transparencë, kontroll parlamentar, pjesëmarrje të komunitetit lokal dhe mbi të gjitha, barazi në aksesin mbi pasuritë publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat