Gazetari Basir Çollaku ka ngritur një seri pyetjesh të forta në rrjetet sociale lidhur me një ngjarje të pazbardhur që ka ndodhur para zgjedhjeve të 11 majit, ku në shënjestër ka qenë një nga koordinatorët politikë në Durrës, me inicialet Agasi.
Sipas Çollakut, ndaj këtij zyrtari është qëlluar me armë zjarri pak para zgjedhjeve, në një sulm që ai e cilëson si “paralajmërim”, në sfondin e disa marrëveshjeve të pazbardhura politike. Edhe pse i pajisur me makinë të blinduar dhe shoqërues sigurie, sulmi ndodhi dhe u mbajt i fshehtë nga publiku.
“Koordinator Agasin e Durrësit, kush e qëlloi me armë zjarri para zgjedhjeve të 11 majit?! Ishte një paralajmërim për ta trembur nga marrëveshjet pezull?! Meqë makina e blinduar dhe shoqërues rendi nuk i ndahen… Pse policia, e informuar për ngjarjen me shumë detaje, as e bëri publike dhe as shkoi dot pas autorit të mundshëm për të cilin ka dijeni?”, shkruan Çollaku.
Ngjarja ngre pikëpyetje të shumta mbi transparencën e institucioneve ligjzbatuese dhe nivelin e sigurisë para zgjedhjeve. Ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo institucionet përkatëse.
Në mungesë të hetimeve të qarta dhe komunikimit publik, rasti vazhdon të mbulohet nga heshtja, duke lënë vend për spekulime dhe dyshime mbi motive të thella politike dhe mosveprim institucional.