Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar ditën e djeshme licencimin paraprak të Jet Bank, institucionit të parë bankar që do të operojë tërësisht në mënyrë digjitale në vendin tonë.
Shoqëria është themeluar në gusht të këtij viti në Shqipëri, ndërsa themelues dhe zotërues i saj është shtetasi izraelito-britanik Idan Avishai.
Në krye të bankës do të jetë Fatbardha Rino, një emër i njohur në sektorin financiar shqiptar. Rino ka mbajtur më herët pozicione të rëndësishme drejtuese në disa banka të nivelit të dytë dhe ka qenë drejtoreshë ekzekutive e “Iute Pay”.
Anëtarët e tjerë të bordit drejtues janë shtetasit Oliver Hemmer dhe Rami Solomon, të dy me origjinë izraelite.
Me miratimin paraprak të licencës, Jet Bank duhet të nisë përgatitjet për hyrjen në treg, duke plotësuar të gjitha kërkesat ligjore dhe rregullatore, që nga kapitali e deri te infrastruktura teknike. Kapitali fillestar i parashikuar është 35 milionë lekë të vjetra.
Jet Bank ka në dispozicion deri në 12 muaj për të përmbushur të gjitha kriteret dhe për të marrë licencën përfundimtare që do t’i mundësojë të nisë operimin si banka e parë 100% digjitale në Shqipëri.



