Gjykata Kushtetuese ka vendosur t’i ndërpresë mandatin gjyqtares Sonila Bejtja, duke i hapur rrugë Presidentit të Republikës për të shpallur vakancën në vendin e saj. Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Presidenca, që kishte për qëllim përcaktimin e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Burime pranë institucioneve bëjnë me dije se gjatë gjykimit, Kushtetuesja ka vendosur që për rastet aktuale, të cilat lidhen me periudhën tranzitore të rindërtimit të institucionit, të zbatohet parimi i përtëritjes së pjesshme të Gjykatës.
Në të ardhmen, do të zbatohet parimi i paprekshmërisë së mandatit 9-vjeçar, siç e parashikon Kushtetuta, por aktualisht është vlerësuar se duhet të ruhet përputhja me kalendarin kushtetues të rotacionit të anëtarëve.
Në bazë të këtij parimi, Gjykata Kushtetuese do të ripërtërihet me tre anëtarë të rinj në vitin 2025.
Gazetarja Enkelejda Mema raporton se në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë një mbledhje të dytë për të vendosur mbi shpalljen e vakancës, e cila do të emërtohet nga Presidenti i Republikës.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që mandati i gjyqtares Elsa Toska, e cila dha dorëheqjen një vit më parë, të konsiderohet i përfunduar në vitin 2025, duke hapur edhe në këtë rast një vakancë që do të plotësohet nga Kuvendi.