Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka bërë bilancin e punës gjatë vitit 2024.
Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, nga 520 kërkesa totale të dorëzuara (427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023). U morën 86 vendime përfundimtare dhe 47 vendime moskalimi. Aktualisht, 104 kërkesa janë ende në shqyrtim brenda afateve procedurale.
Ndër të tjera Zaçaj tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë çështje stok jashtë afateve proceduriale, pasi mesatarja e shqyrtimit të çështjeve është 8 muaj.
“Gjatë vitit 2024, ishin 520 kërkesa për shqyrtim, 427 të reja dhe 93 të mbartura nga viti 2023. Shqyrtuam 408 kërkesa me vendime të arsyetuara, 86 vendime përfundimtare, 47 vendime moskalimi të mbledhjes së gjyqtarëve.
Numri total i kërkesave të mbartura që janë brenda afateve procedurale është 104, nga të cilat 28 janë në shqyrtim në seancë plenare, 77 në fazë shqyrtimi paraprak.
Gjykata vendosi pranimin ose pranimin pjesërisht të kërkesës në 55 çështje dhe rrëzimin e tyre në 31 çështje. Sipas mënyrës së votimit, 42 votime unanime dhe 42 me shumicë votash. Gjykata Kushtetuese nuk ka stok çështjesh të prapambetura jashtë fateve procedurale.
Gjykata pati në fokus edhe përmbushjen e objektivave strategjik me qëllim dhënien e një drejtësie kushtetuese funksionale. Në raportin e KE, Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive duke u konsideruar si efektive në ruajtjen e kontrollit dhe balancës mes organeve të pushteteve”, tha Zaçaj.