Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress, se kërkesa e përfaqësuesve të Listës Serbe është dorëzuar të shtunën në mënyrë elektronike në gjykatë. Megjithatë, nuk është përgjigjur nëse ajo kërkesë konsiderohet e ligjshme.
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula ka konfirmuar se gjykata ka pranuar këtë kërkesë me 30 gusht.
Duke u bazuar se deputetët e Listës Serbe nuk njohin as Kuvendin e Kosovës, të cilit së fundmi gjatë deklaratave iu kanë referuar si Kuvendi i Prishtinës, KosovaPress ka pyetur Gjykatën Kushtetuese se si iu kanë referuar Lista Serbe këtij institucioni, por Kushtetuesja nuk është përgjigjur as për këtë çështje.
Lista Serbe njoftoi në Facebook se deputetët e saj dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë”.
Ajo tha se pret nga gjykata “të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet juridike në fuqi”.
Ankesa e partisë së serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.



