Mbledhja e Byrosë së Kuvendit për shqyrtimin e ankimit të deputetëve të Partisë Demokratike, të përjashtuar nga seanca plenare e 18 dhjetorit, ka nisur mes debatesh të forta dhe akuzash të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Kërkesa e opozitës që mbledhja të zhvillohej me praninë e mediave është rrëzuar nga mazhoranca, duke nxitur reagime të menjëhershme nga deputetët demokratë. Pavarësisht mungesës së kamerave zyrtare, përfaqësues të opozitës kanë transmetuar drejtpërdrejt zhvillimet përmes rrjeteve sociale, kryesisht në Facebook.
Deputeti Belind Këlliçi akuzoi mazhorancën për mungesë transparence dhe “bunkerizim” të Kuvendit.
“E keni bunkerizuar Kuvendin e Shqipërisë. Kemi kërkuar praninë e mediave në këtë mbledhje, por ju i shmangeni transparencës. Kjo është e papranueshme. Me gardë keni marrë zvarrë opozitën, ndërkohë që jeni kthyer në mburojë të krimit dhe korrupsionit,” u shpreh Këlliçi.
Tensionet u rritën edhe më tej gjatë diskutimeve, ku deputetja Albana Vokshi akuzoi për manipulim dhe ndërhyrje në fjalë, ndërsa deputeti Klevis Balliu hodhi poshtë pretendimet e mazhorancës se flakadanët kishin rrezikuar jetën e deputetëve.
“Ju nuk ju rrezikohet jeta nga flakadanët. Jeta juaj rrezikohet nga droga. E keni kthyer vendin në narkoshtet dhe e keni ngritur drogën në sistem për llogari të pushtetit,” deklaroi Balliu.
Edhe deputeti Agron Gjekmarkaj e cilësoi mungesën e drejtuesve të Kuvendit në mbledhje si shenjë dobësie institucionale, duke akuzuar mazhorancën për përdorim të rregulloreve si “kartona” dhe jo si instrumente të së drejtës.
“Deputetët e opozitës po bëjnë një betejë për shtetin e së drejtës dhe për demokracinë, të cilat ju i keni marrë peng me korrupsion,” tha Gjekmarkaj.
Ndërkohë, Flamur Noka deklaroi se mazhoranca synon të eliminojë opozitën nga Kuvendi, duke e cilësuar përjashtimin e deputetëve si një akt politik.
“Sot, me këtë përjashtim, për dy vite më keni shpallur armik dhe kjo është nder për mua. Data 24 do të jetë një ditë kur ju do të dridheni,” u shpreh Noka, duke akuzuar mazhorancën se përfaqëson interesat e krimit të organizuar.
Byroja e Kuvendit po shqyrton ankimin e deputetëve të përjashtuar, ndërsa vendimi pritet të ndikojë në zhvillimet e ardhshme parlamentare, në një klimë të tensionuar politike dhe përplasje të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.



