Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka përmbyllur sot zyrtarisht mandatin 14-mujor të këtij komisioni, me një konferencë për mediat ku paraqiti një bilanc të detajuar të punës së kryer dhe dokumenteve përfundimtare të dorëzuara Kuvendit.
Në fjalën e tij, Xhafaj theksoi se komisioni ka arritur të përmbushë qëllimin për të cilin u ngrit, pavarësisht kohëzgjatjes së shkurtër dhe ndërprerjeve për shkak të periudhës zgjedhore. Ai tha se puna e komisionit ka vendosur “piketa të qarta dhe të domosdoshme për përballimin e tre sfidave kyçe: mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit”.
Dokumente kyçe për negociatat me BE
Gjatë mandatit të tij, komisioni ka përgatitur dhe dorëzuar në Kuvend dy dokumente themelore:
Dokumenti Analitik: Një material prej 709 faqesh që përmban një skanim të plotë të situatës në fushat e mirëqeverisjes, antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, bazuar në mbi 15.000 faqe raportesh dhe dokumentesh vendase dhe ndërkombëtare.
Plani Kombëtar i Veprimit: Një dokument strategjik që përfshin 238 masa konkrete (78 nisma ligjore dhe 160 masa institucionale), të cilat synojnë të adresojnë problematikat kyçe në funksion të procesit të integrimit europian.
Sipas Xhafajt, këto dy dokumente përbëjnë një kontribut të rëndësishëm parlamentar dhe janë hartuar me pjesëmarrjen e 119 ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Transparencë dhe gjithëpërfshirje: Metodologji e re për Kuvendin
Kryetari i komisionit theksoi se metodologjia e përdorur është ndër më të qartat dhe më të plota që është aplikuar ndonjëherë në Kuvendin e Shqipërisë, duke garantuar katër parime themelore: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe standarde ndërkombëtare.
Procesi është shoqëruar me konsultime publike intensive, përmes 11 tryezave debati, 8 forumeve qytetare dhe 2 konferencave të nivelit të lartë, duke sjellë një model të ri për hartimin e reformave.
Në përmbyllje, Xhafaj theksoi se puna e komisionit nuk duhet të ndalet me dorëzimin e dokumenteve. Ai sugjeroi ngritjen e një komisioni të përhershëm parlamentar ose një strukture të posaçme institucionale që të ndjekë fazën e tretë, atë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit.
“Këto dokumente janë një trashëgimi e rëndësishme institucionale që mund të shërbejnë si udhërrëfyes për Kuvendin në legjislaturën e ardhshme dhe për procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE,” – u shpreh Xhafaj, duke falënderuar të gjithë aktorët që kontribuuan në këtë proces, përfshirë deputetë, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, si dhe gazetarët që e ndoqën e pasqyruan punën e komisionit.