back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaKuvendi Kosovës shqyrton Projektligjin për buxhetin e vitit 2025, LVV: Do të...

Kuvendi Kosovës shqyrton Projektligjin për buxhetin e vitit 2025, LVV: Do të sigurojë stabilitet ekonomik

Kuvendi i Kosovës po shqyrton në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.

Projektligji është miratuar në lexim të parë më 11 nëntor.

Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky buxhet do sigurojë stabilitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.

Ndërkaq, partitë opozitare e kanë cilësuar “buxhet për mbijetesë”.

Për këtë arsye tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë pohuar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin dhe kanë braktisur seancën.

Në sallën plenare janë kthyer disa deputetë nga PDK-ja, të cilët kanë paraqitur për votim disa amendamente.

Nga buxheti prej 3.6 miliardë euro, pjesa më e madhe është planifikuar të ndahet për kategorinë subvencione dhe transfere me mbi 1.1 miliardë euro, pasuar nga shpenzimet kapitale me mbi 930 milionë euro.

Projektligji për buxhetin 2025 duhet të miratohet më së largu deri në fund të këtij viti.

Por, ai mund të miratohet vetëm kur Kuvendi ka kuorumin e nevojshëm prej 61 deputetësh në sallë.

Më pas, ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe shpallet nga presidentja e Republikës.

Presidentja Vjosa Osmani, duhet ta nënshkruajë atë brenda tetë ditësh, pasi të ketë marrë ligjin. Nëse presidentja Osmani, brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat