Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas mosdhënies së dokumentacionit ndaj anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (Këshilli i Mandateve) lidhur me provat e SPAK për çështjen e Belinda Ballukut.
Sipas njoftimit zyrtar, materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kuvendi njofton se mënyra e njohjes me informacionin dhe trajtimi i tij do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK.
Reagimi i plotë i Kuvendit:
Në zbatim të dispozitave kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe kërkesës së SPAK, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Administrata e Kuvendit i ka vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit aktet procedurale dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin që dokumentet të mos bëhen publike.
Materiali sekret mbart detyrimin e Kuvendit për ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve, në përputhje me nenet 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 295/a të Kodit Penal.
Kuvendi thekson se të gjitha veprimet e deritanishme janë në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe urdhrin e prokurorit, dhe rikujton deputetët për detyrimin për zbatim të rreptë të sekretit hetimor.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve pritet të jetë vendimtare për mënyrën se si do të njihet me materialin dhe procedurat lidhur me çështjen e Belinda Ballukut.



