Përtej përplasjeve dhe debateve të forta për çështjet e brendshme politike, Kuvendi i Shqipërisë u bashkua në seancën e së enjtes për një çështje që lidhet me Kosovën dhe gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me 92 vota pro, deputetët e mazhorancës dhe opozitës miratuan një rezolutë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po përballen prej vitesh me akuza për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Projekt-rezoluta u propozua në nisje të seancës nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa teksti u hartua nga deputeti socialist Igli Hasani dhe deputeti demokrat Tritan Shehu, duke reflektuar një konsensus të gjerë politik.
Në përmbajtjen e saj, rezoluta thekson mbështetjen për luftën çlirimtare të Kosovës kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit, duke e cilësuar atë si një përpjekje të drejtë për liri dhe pavarësi. Deputetët dënuan njëzëri kërkesën e Prokurorisë së Hagës për dënimin me 180 vite burg në total për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Gjatë diskutimeve në sallë, përfaqësues të forcave politike theksuan rëndësinë historike të luftës së Kosovës dhe nevojën që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazën e provave dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në paraburgim prej disa vitesh dhe procesi gjyqësor tashmë është në fazën përfundimtare, me pritshmëri për vendimin që do të japë trupa gjykuese në muajt në vijim.
Miratimi i rezolutës u konsiderua si një moment uniteti politik në Kuvend, në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe figurave historike të saj.



