Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot në Komisionin e Ligjeve një rezolutë për masat e sigurisë dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të SPAK-ut, me votat e socialistëve dhe kundërshtimin e deputetëve demokratë.
Në rezolutë, Kuvendi kërkon:
Unifikimin e metodologjisë së hetimit, përfshirë marrjen e provave dhe masat e sigurisë, sipas vendimeve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së.
Rritjen e efikasitetit të BKH-së përmes plotësimit të vakancave dhe sigurimit të kushteve logjistike.
Krijimin e një grupi pune në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese, për analizën e grupeve të krimit të organizuar dhe strategjinë kundër tyre.
Zbatimin e masave për krimet zgjedhore, duke përfshirë analiza të përbashkëta me KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme mbi zgjedhjet e vitit 2025.
Sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar dhe përdorimin e teknologjive për gjurmimin e rrjeteve financiare dhe kriptovalutave, si dhe bashkëpunimin me Europol dhe EMPACT.
Deputetët e opozitës kritikuan rezolutën duke u bazuar në raportin OSBE/ODIHR, ndërsa socialistët theksuan se rezoluta fokusohet kryesisht në SPAK dhe përmirësimin e funksionimit të tij.



