back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 20 Shkurt, 2026
spot_img
KreuAktualitetKuvendi në kaos/ Opozita pushton karriget e ministrave, përplasje me Gardën

Kuvendi në kaos/ Opozita pushton karriget e ministrave, përplasje me Gardën

Debate dhe përplasje të forta janë shënuar këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, ende pa nisur zyrtarisht seanca plenare, duke e kthyer mbledhjen e fundit parlamentare për këtë vit në një skenë tensioni dhe kaosi.

Deputetë të opozitës u futën në sallën plenare dhe tentuan të ulen në vendet e ministrave të kabinetit qeveritar, si dhe në hapësirën e foltores, duke zënë vendin e përfaqësuesve të qeverisë. Kjo solli përplasje fizike me punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët ndërhynë për t’i larguar deputetët nga zonat e ndaluara të sallës.

Pamjet nga momentet e tensionit u transmetuan live dhe u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale nga vetë deputetët e opozitës, ku shihen shtyrje, debat verbal dhe përpjekje për të bllokuar nisjen e seancës.

Për shkak të kaosit të krijuar, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kuvendi kaloi drejtpërdrejt në votim rendin e ditës, duke anashkaluar diskutimet paraprake. Seanca u ndërpre për disa minuta, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u detyrua të shpallë pushim.

Më herët gjatë ditës, Endri Shabani u betua si Avokati i ri i Popullit, i zgjedhur me firmat e mbledhura nga Partia Demokratike. Betimi u zhvillua në një atmosferë tensioni dhe zhurme, mes përplasjeve të opozitës me Gardën dhe bllokimit të sallës.

Pas rinisjes së seancës, deputetët e Partisë Demokratike ndezën flakadanë në sallën plenare, duke rritur më tej tensionet dhe duke pamundësuar vijimin normal të punimeve parlamentare.

Gjatë seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori vendim për përjashtimin e deputetëve demokratë Klevis Balliu dhe Flamur Noka, për shkak të shkeljes së rregullores dhe pengimit të punimeve. Megjithatë, pavarësisht vendimit, të dy deputetët vijuan të qëndrojnë në sallë.

Seanca e fundit plenare për këtë vit në Kuvendin e Shqipërisë u mbyll mes tensioneve të forta, përplasjeve fizike dhe pamundësisë për zhvillimin normal të debatit parlamentar, duke reflektuar klimën e ashpër politike dhe përplasjen e thellë mes mazhorancës dhe opozitës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat