Pas miratimit të disa pikave të para të rendit të ditës me 73 vota të shumicës socialiste, seanca plenare e ditës së enjte u përfshi nga debate për dy çështjet më të rëndësishme politike të momentit, Komisionet e Posaçme Parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
Fillimisht, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi kalimin në votim të Reformës Zgjedhore, por opozita kundërshtoi menjëherë në sallë, duke kërkuar shtyrjen e diskutimit. Në këtë moment ndërhyri kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili propozoi që kjo pikë të shtyhej për në seancën e radhës më 30 tetor, derisa të arrihej dakordësia e plotë me opozitën.
Balla tha se një dakordësi paraprake ishte arritur më herët, por për shkak të kundërshtimeve të deputetëve opozitarë, grupi i PS-së pranoi të tërhiqej për momentin.
E njëjta situatë u përsërit edhe me Reformën Territoriale. Opozita u shpreh kundër, ndërsa Balla deklaroi se mazhoranca ishte gati të pranonte të gjitha amendamentet e propozuara nga PD, por pavarësisht kësaj, opozita refuzoi votimin.
Në përfundim, pas kalimit në votim formal, me 73 vota kundër dhe 37 pro nga opozita, Kuvendi vendosi shtyrjen e miratimit të dy komisioneve të posaçme për në datën 30 tetor.