Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se duke nisur nga janari i vitit 2026, pensionet do të rriten çdo muaj, përtej indeksimit të përvitshëm. Lajmin e dha përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, duke bërë me dije se qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026.
“Kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare për një shtet, por tani që jemi një vend me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, do bëjmë atë që premtuam – të rrisim vit pas viti pensionet,” – deklaroi Rama.
Sipas tij, ky mandat qeverisës do të jetë mandati i rritjes së pensioneve, me synimin që deri në fund të tij pensioni i plotë të arrijë 400 mijë lekë të vjetra.
Në videomesazhin e tij, kryeministri paraqiti edhe shifrat konkrete të rritjeve që do të nisin nga janari:
Pensioni urban i plotë do të rritet me 1,800 lekë në muaj;
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 800 lekë;
Pensioni rural do të rritet me 1,000 lekë;
Pensioni familjar do të arrijë në 18 mijë lekë nga 11 mijë lekë që është aktualisht.
Rama tha se këto rritje do të dyfishohen në vitin 2027 dhe trefishohen në vitin 2028, për të arritur objektivin final të qeverisë në fund të mandatit.
“Kështu, duke nisur nga janari i 2026 pensionet do të rriten muaj pas muaji përmbi indeksimin e përvitshëm. Ky jam unë, këta jemi ne,” – u shpreh Rama.



                                    