Në një nga dëshmitë kyçe të dosjes “5D”, punonjësja e kompanisë me të njëjtin emër, Jona Bejko, ka përmendur emrin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, si të përfshirë indirekt në një investim milionash në Durrës. Bëhet fjalë për një hotel luksoz, për të cilin në komunikime të përgjuara ajo referohet si “pronë e Lali Erit”.
Gjatë dëshmisë së saj para trupit gjykues, Bejko pohoi se në komunikimet me kolegë të saj brenda kompanisë “5D”, përmendej emri i Veliajt në lidhje me ndërtimin e një hoteli në bregdet. Megjithatë, ajo shtoi se nuk ka asnjë provë konkrete dhe se përmendja e emrit të tij vinte si pasojë e ndikimit të drejtuesve të kompanisë në strukturat e bashkisë.
“Në lidhje me fjalën që them ‘është pronari jonë, Lali Eri’, i referohem Redi Mollës, duke qenë se ishte pronar trualli,” tha Bejko, duke shtuar se emri i Veliajt përmendej në mënyrë të nënkuptuar si simbol i ndikimit dhe lidhjeve me institucionet vendore.
Përgjimet e nxjerra nga telefoni i saj përfshijnë mesazhe në të cilat thuhet se hoteli “është aksion i Lali Erit dhe të tjerëve”, duke lënë të kuptohet se pas investimit qëndrojnë persona të afërt me kryebashkiakun e atëhershëm të Tiranës.
Pavarësisht tërheqjes së Bejkos në sallën e gjyqit, ku deklaroi se “është e shëmtuar që janë publikuar ato biseda”, Gjykata e Apelit të GJKKO ka urdhëruar hetim të thelluar lidhur me këto deklarata. Sipas gjyqtarit Florian Kalaja, hetimi duhet të zbulojë nëse ka ekzistuar vërtet një projekt hoteli në Durrës, cilët janë investitorët dhe çfarë roli ka luajtur kompania “5D Konstruktion” në këtë zhvillim.
Në vendimin e Apelit theksohet qartë:
“Të hetohet Jona Bejko në lidhje me komunikimin e saj, të verifikohet projekti në Durrës, natyra e investimit, përfshirja e kompanisë ‘5D’ dhe çdo lidhje apo interes që mund të kenë pasur persona fizikë apo juridikë, zyrtarë apo jo.”
Kjo deklaratë dhe vendimi i gjykatës përforcojnë dyshimet se drejtues të bashkisë së Tiranës, të arrestuar për aferën “5D”, mund të kenë pastruar para përmes ndërtimit të pasurive luksoze, me përfitime nga tenderat publikë.
Deri më tani, SPAK nuk ka avancuar me hetime ndaj Veliajt, pavarësisht lidhjeve të ngushta mes tij dhe të arrestuarve si Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha. Kjo e fundit ka ngritur akuza për hetim të cekët dhe të qëllimshëm, duke i dhënë më shumë rëndësi deklaratave zbutëse të dëshmitares, sesa ndjekjes së gjurmëve që mund të çojnë tek persona me ndikim të lartë politik.
Hetimet për dosjen “5D” mbeten një nga provat më të ndjeshme për integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.