Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve, u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, lidhur me përdorimin e masës së paraburgimit në sistemin e drejtësisë.
Në përgjigjen e tij, Lamallari pranoi se problematika është reale dhe theksoi se qasja ndaj paraburgimit duhet të ndryshojë rrënjësisht.
“Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendim përfundimtar. Kjo duhet adresuar,” – u shpreh ministri.
Sipas tij, çështja lidhet si me mënyrën se si janë shkruar dispozitat në ligj, ashtu edhe me zbatimin e tyre në praktikë nga organet e drejtësisë.
“Burgu duhet të shihet si mjeti i fundit, kur plotësohen kushtet e rrezikshmërisë. Kjo kërkon ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve përkatës – prokurorive dhe gjykatave – dhe në këtë drejtim vjen në ndihmë edhe roli i partnerëve,” – shtoi Lamallari.