Vendimi i Kolegjit Zgjedhor i ka dhënë fund përplasjes disa-ditore mes dy ish-aleatëve politikë, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, lidhur me mandatin në Kuvend. Kolegji vendosi që mandati t’i kalojë Ana Dajkos, duke lënë jashtë parlamentit si Lapajn, ashtu edhe kandidaten e tij.
I ftuar në “News 24”, Adriatik Lapaj reagoi ashpër, duke e cilësuar si tradhti veprimin e Shabanit, me të cilin ka pasur një miqësi 12-vjeçare.
“E kam pasur mik, ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Nuk e prisja kurrë këtë nga ai. Nuk kemi luftuar për një mandat, por për lista të hapura. Nëse do doja thjesht të bëhesha deputet, e kisha të thjeshtë, sepse listën e kam firmosur unë. Por beteja jonë ishte për qytetarët, jo për pazare”, deklaroi Lapaj.
Sipas tij, gjithë sistemi u vu kundër që ai të mos hynte në Kuvend, ndërsa theksoi se “Shqipëria Bëhet” do të vazhdojë si lëvizje qytetare.
“Do qëndroj deri në fund në parimet e mia. Ne përfaqësojmë 80 mijë qytetarë. Angazhimi ynë do të jetë edhe më i fortë, por beteja jonë nuk do të bëhet në parlament, por në rrugët e atdheut. Ana Dajko është një zonjë e nderuar, por kjo që ndodhi është një padrejtësi”, tha ai.
Lapaj bëri publike edhe një tjetër prapaskenë. Sipas tij, pak pas zgjedhjeve të 11 majit, ka marrë dy oferta nga mazhoranca për t’u bërë pjesë e qeverisë së re.
“Dy herë më kanë kërkuar të bëhem pjesë e pushtetit, por i kam refuzuar. Nuk mund të jem fasadë e një demokracie të rreme. Për këtë po marr kostot, por jam krenar që nuk kam bërë kompromis”, u shpreh Lapaj.
Ai shtoi se “Shqipëria Bëhet” do të mbetet një lëvizje model dhe se mbështetja e qytetarëve do të vijojë të rritet.