Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka folur për mandatin e deputetes së vetme të ish-koalicionit, Ana Dajko, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Lapaj u shpreh se Dajko nuk e ka dashur mandatin, por e ka mbajtur për të mos ia kaluar Endri Shabanit, të cilin e akuzoi si person që “sabotuar hyrjen e tij në Parlament”.
“Ana Dajko nuk e ka dashur dhe nuk e do mandatin, por e mban si të vetmen mënyrë që të mos ia japë një tradhëtari. Është nënë e nderuar e dy djemve dhe e tre nipërve e mbesave. E ndoqa, e pashë emocionin e saj. Është njeriu më i ndershëm i asaj salle,” tha Lapaj.
Ai akuzoi institucionet dhe partitë e mëdha se përdorën “standarde të dyfishta” për të penguar përfaqësimin e forcës së tij politike, duke sjellë si shembull rastin e mandateve të ndërruara në Fier.
“Nuk ka më njeri në Shqipëri që nuk e di që u bë bashkë gjithë sistemi që të detyronte një lëvizje që mori 64 mijë vota, të mos përfaqësonte qytetarët. U përdor standard tjetër për PSD-në? Për ne u përdor standard tjetër?” u shpreh ai.
Sipas tij, Dajko nuk do të jetë një deputete e zakonshme, por do të funksionojë si përfaqësuese ndryshe, duke punuar me një grup prej shtatë avokatësh që do të hartojnë rezoluta e nisma ligjore, të cilat ajo do t’i depozitojë në Kuvend.
“Ajo nuk do të jetë deputete e zakonshme, por do të jetë përfaqësuese ndryshe. Do të ketë pas shtatë avokatë që do të përgatisin rezoluta dhe ajo do t’i depozitojë me shkresa dhe akte,” deklaroi Lapaj.