Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka depozituar një ankim zyrtar pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që i dha mandatin në qarkun Tiranë një prej kandidateve të listës së mbyllur, përkatësisht vajzës së tezes së Adriatik Lapajt.
Në ankimimin e bërë, Adriatik Lapaj, përfaqësues i nismës, shpreh kundërshtimin e fortë ndaj mënyrës se si KQZ ka trajtuar rastin, duke argumentuar se 12 kandidatët e listës së mbyllur kishin dhënë dorëheqjen me shkrim më 11 maj, ditën e zgjedhjeve. Sipas Lapajt, KQZ duhej të kishte reaguar me një akt administrativ për të njohur dorëheqjen dhe të procedonte me kalimin e mandatit te kandidati më i votuar i listës së hapur, sipas renditjes së votave preferenciale.
“Nëse KQZ do të kishte përmbushur detyrimin ligjor, do të kishim shmangur këtë situatë dhe mandati nuk do t’i jepej një kandidateje që ishte dorëhequr”, thuhet në kërkesën e depozituar.
Lapaj e cilëson veprimin (ose më saktë, mosveprimin) e KQZ-së si një precedent të rrezikshëm, që dëmton sigurinë juridike dhe vendos në pikëpyetje trajtimin e barabartë të subjekteve zgjedhore.
Rasti Doshi si precedent
Në ankim, Lapaj sjell si precedent rastin e Tom Doshit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, i cili u tërhoq nga kandidimi ditën e votimit. KQZ, në atë rast, reagoi një ditë më pas me një vendim të posaçëm, pa e konsideruar dorëheqjen si ndryshim të listës shumëemërore, duke vepruar brenda fleksibilitetit që i lejon ligji.
“A i ndryshoi KQZ listat shumëemërore atëherë? A e quajti këtë shkelje të nenit 73/4 të Kodit Zgjedhor?”, ngre pyetje Lapaj, duke kërkuar unifikimin e standardeve dhe praktikave të vendimmarrjes zgjedhore.