Sali Berisha ka vijuar me publikimin e asaj që ai e quan “skandali i laptopit”, duke pretenduar se dokumente të siguruara nga një pajisje informatike që i përkiste zyrës së zv.kryeministres Belinda Balluku, dëshmojnë një rrjet të organizuar patronazhistësh që synon kontrollin e votës, përfshirë edhe diasporën.
“Tentakulat mafioze të patronazhistëve nuk ndalen më vetëm brenda vendit – janë shtrirë edhe në diasporë,” tha Berisha në një deklaratë për median.
Sipas tij, punonjës të administratës publike janë angazhuar me detyra konkrete për të siguruar votat e emigrantëve për Partinë Socialiste, përmes kontakteve direkte, telefonatave dhe, në disa raste, “kërcënimeve indirekte për vendet e punës të familjarëve në Shqipëri”.
Berisha përmendi me emra punonjës të administratës së Bashkisë Fier, zyrave të shtetit dhe institucioneve publike, duke i konsideruar pjesë të një “rrjeti patronazhistësh me detyra elektorale të paligjshme”.
Ai deklaroi se sipas të dhënave të laptopit, emigrantët janë kategorizuar me kode si: “mbështetës i PS-së”, “i paqartë”, “mbështetës i opozitës”, “i paditur” apo “i panjohur”, një praktikë që ai e cilëson si të paligjshme dhe në funksion të manipulimit të votës.
“E gjitha kjo është pjesë e farsës më të shëmtuar elektorale në historinë e vendit – ajo e 11 majit 2025, me arkitekt Edi Ramën dhe avokat Altin Troplinin,” tha Berisha, duke e quajtur Kodin Penal të ri “një kërcënim për fjalën e lirë dhe për pronën”.
Publikimet e vazhdueshme të PD mbi të ashtuquajturat “të dhëna nga laptopi” janë pjesë e një fushate akuzash ndaj Partisë Socialiste për kontroll të zgjedhjeve përmes strukturave shtetërore. Qeveria nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të fundit, por më herët i ka mohuar pretendimet, duke i quajtur të pavërteta dhe politike.



