Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike në favor të asaj që ai e quan “karteli Troplini”, në këmbim të blerjes së votave në zgjedhje.
Në një deklaratë publike, Berisha u shpreh se qeveria ka transferuar 40 mijë metër katrorë tokë publike pranë stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, për ndërtimin e një kompleksi me pesë kulla, si pjesë e një projekti që – sipas tij – ishte parashikuar të realizohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një investim prej 65 milionë eurosh.
“Prona publike prej 40 mijë metër katrorësh i kalohet privatit, i jepet leje ndërtimi për 5 kulla, njëra prej të cilave 55 katëshe. Ky tjetërsim është një shpërblim për blerjen e votave nga karteli Troplini,” – tha Berisha.
Ai pretendoi se ky vendim është marrë pa shumicën e nevojshme në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke theksuar se ligji kërkon 3/5 e votave (31 vota) për kalimin e pronësisë publike, ndërsa në këtë rast janë votuar vetëm 27 këshilltarë.
Berisha përmendi edhe emra të lidhur me biznesin dhe futbollin në qytet, duke deklaruar se kompleksi sportiv dhe stadiumi janë kaluar nga Hasanbelliu tek Fatmir Troplini, të cilin e identifikon si përfituesin e afatit të ndërtimit dhe lejeve për kullat e reja.
Pretendime për lidhje me krimin
Në një pjesë tjetër të deklaratës, Berisha akuzoi familjen Troplini për lidhje me trafikun e drogës, duke e cilësuar atë si një nga “kartelët më të fuqishëm në Europë”, që sipas tij “kontrollon portin e Durrësit dhe shpërndan tonelata kokaine”.
“Karteli Troplini ka si pronë private portin e Durrësit dhe shpërndan tonelata kokaine në Europë,” – deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë akt si “shpërblimin më të madh” nga ana e qeverisë për strukturat kriminale që sipas tij ndihmojnë në zgjedhje.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Qeveria, Bashkia e Durrësit apo Fondi Shqiptar i Zhvillimit lidhur me këto akuza. Po ashtu, nuk ka ende një qëndrim publik nga familja Troplini apo subjektet e përmendura.