Pesë inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) janë vënë në pranga, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimin pa leje të tri vilave në një zonë rezidenciale në Sauk, Tiranë.
Një tjetër inspektor është ende nën hetim, ndërsa dyshohet se mosveprimet ose veprimet e tyre të kryera kanë favorizuar ndërtimin e paligjshëm.
Operacioni “Wrong Project”
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në kuadër të planit mbarëkombëtar të koduar “Hapësira Publike”, me qëllim konstatimin dhe ndëshkimin e rasteve të pushtimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve të paligjshme.
Gjatë kontrollit u evidentuan 3 raste ndërtimesh të paligjshme. Si rezultat:
U ndaluan shtetasit Gj. M., 38 vjeç, K. R., 48 vjeç, A. D., 35 vjeç, O. C., 41 vjeç dhe E. D., 32 vjeç, të gjithë inspektorë të IMT-së.
U procedua në gjendje të lirë E. D., 35 vjeçe, ndërsa në kërkim shpallen Xh. M., 32 vjeç, K. D., 37 vjeç dhe A. N., 46 vjeç, gjithashtu inspektorë.
Për shtetasit e mësipërm veprimet penale janë për “Shpërdorim detyre”.
Ndërtuesit dhe arkitektët në fokus
Gjithashtu, u ndaluan edhe:
B. Xh., 35 vjeçe dhe R. Gj., 36 vjeç, drejtues teknik dhe inxhinier të subjektit ndërtues
Në kërkim u shpallën E. K., 55 vjeçe, S. S., 67 vjeç, bashkadministratorë, dhe E. Sh., 45 vjeçe, arkitekte
Veprimet e tyre penalizohen për “Ndërtim të paligjshëm”.



