back to top
16.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetLetra që trondit Tiranën/ Berisha zbardh mashtrimin e qeverisë ndaj OSBE

Letra që trondit Tiranën/ Berisha zbardh mashtrimin e qeverisë ndaj OSBE

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ashpërsuar më tej akuzat ndaj Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, duke e akuzuar se ka “mashtruar hapur” komunitetin ndërkombëtar për procesin zgjedhor të 11 majit, në një letër të dërguar përfaqësuesve të misioneve vëzhguese ndërkombëtare.

Sipas Berishës, Hasani ka paraqitur fakte të pavërteta dhe të fabrikuara në përpjekje për të kundërshtuar raportin kritik të OSBE/ODIHR dhe institucioneve partnere për zgjedhjet parlamentare. Në deklaratën e tij, Berisha renditi disa prej pohimeve të Ministrit Hasani, të cilat i cilësoi “mashtrime të qëllimshme”.

“Letra është një përpjekje për të rishkruar realitetin dhe për të gënjyer vëzhguesit ndërkombëtarë. Në të thuhet se janë bërë arrestime për krime elektorale. Asnjë arrest nuk është bërë. Janë trillime të pastra për të mbuluar manipulimin masiv të zgjedhjeve”, – deklaroi Berisha.

Ai akuzoi Hasanin dhe drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, se kanë ndërtuar një narrativë të rreme për hetime dhe ndëshkime që në realitet nuk ekzistojnë.

“Ministri përmend një task-forcë të SPAK që gjoja ka kryer hetime dhe ka bërë arrestime për intimidimin e votuesve. Por kjo është një gënjeshtër e pastër. Nuk ka pasur asnjë arrest. Ndërsa vetë SPAK ka deklaruar se mungojnë provat, në kohën kur çdo ditë janë publikuar me dhjetëra prova për blerje votash, shkelje ligjore dhe abuzim me fondet publike”, – shtoi ai.

Një tjetër pikë që Berisha e denoncoi si “mashtrim të pastër” ishte pretendimi i Ministrit Hasani se “nuk është përfillur letra e KQZ e datës 8 maj”, që sipas Hasanit sqaronte faljen e gjobave shtetërore. Por Berisha theksoi se gjobat, me vlerë nga 200 deri në 400 milionë lekë, janë falur dy ditë para zgjedhjeve, në kundërshtim me çdo normë të barazisë elektorale.

“Ata kanë vendimin zyrtar përpara. Çfarë duhet të përfillin më shumë? Mashtrimet e Celibashit, i cili duket se është pjesë e të njëjtës trojkë me Hasanin dhe Dumanin?”, – pyeti retorikisht Berisha.

Akuzat për “shpifje diplomatike” dhe “shtrembërim të realitetit zgjedhor”

Në një ton gjithnjë e më të ashpër, Berisha deklaroi se letra e Hasanit synon të relativizojë kritikat e raportit ndërkombëtar, duke përdorur terma si “përparime demokratike” dhe “sukses në votimin e diasporës”, gjë që sipas tij përbën “fyerje për inteligjencën e komunitetit ndërkombëtar”.

“Procesi i votimit të diasporës është manipulimi më flagrant që ka ndodhur. Ta quash sukses është poshtërim”, – tha Berisha.

Deri më tani, Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka reaguar ndaj akuzave të Berishës, dhe as misionet ndërkombëtare nuk kanë komentuar mbi përmbajtjen e letrës së përfolur. Në mungesë të konfirmimit zyrtar nga palët ndërkombëtare, autenticiteti i dokumentit të publikuar mbetet për t’u verifikuar.

Megjithatë, Berisha ka paralajmëruar se opozita do të vazhdojë të denoncojë “farsën elektorale” dhe përpjekjet për të “bërë presion mbi trupat ndërkombëtare që guxuan të thonë të vërtetën”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat