Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i ftuar në Euronews Albania, komentoi lidhur me takimin që po zhvillonte në të njëjtën kohë Ervin Salianji me pjesë të strukturave të PD-së në Durrës.
Bardhi theksoi se mbështet qëndrimin zyrtar të PD-së dhe të kryetarit Sali Berisha, sipas të cilit çdo mbledhje jashtë forumeve është private.
“PD nuk pengon askënd që të shprehë lirisht mendimin e tij apo të takohet me demokratët. Ka institucione që nuk i kufizojnë të drejtën e fjalës askujt dhe nuk do të pengojnë askënd,” tha Bardhi.
Ai shtoi se secili anëtar i kryesisë dhe kolegëve të PD-së bën zgjedhjen e tij për të zhvilluar takime me demokratët dhe për t’i bërë ato publike sipas dëshirës.
Për pyetjen nëse këto takime mund të tërheqin demokratë të pakënaqur, Bardhi u shpreh se nuk ka keqkuptim tek baza dhe se prioritetet e Shqipërisë janë më të mëdha se këto çështje interne.
“Shqipëria ka shumë më shumë probleme që meritojnë kohë dhe vëmendje sesa kjo temë. Nuk shikoj asnjë problem të jem i vërtetë,” përfundoi ai.



