Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht lidhur me vendimin e tij për të mos votuar ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke përdorur tone të forta kritike ndaj përmbajtjes së tij.
Në një deklaratë, Braçe thekson se ligji i miratuar përjashton dy kategori të rëndësishme qytetarësh, përfshirë banorë dhe votues të Njësisë 5 në Tiranë, si dhe qytetarë në zona të tjera të vendit, që kanë banesa në proces legalizimi ose regjistrimi.
“Unë jam votuar për t’u shërbyer njerëzve me ligj, jo për të votuar ligje kot,” shprehet Braçe, duke sqaruar se ligjet e mëparshme për rivlerësimin e pasurive i përfshinin këto kategori, ndërsa ligji i ri jo.
Sipas deputetit socialist, ai ka propozuar një amendament për rikthimin e këtyre kategorive në ligj, por amendamenti është rrëzuar me arsyetimin se Kadastra e ka të pamundur teknikisht ta realizojë këtë proces.
“Kjo punë ka qenë më parë në ligj dhe është bërë. Nëse dikush nuk e bën dot punën, duhet të largohet, jo të ndryshohet ligji në dëm të qytetarëve,” thekson Braçe.
Ai paralajmëron se si pasojë e ligjit të miratuar, qindra banesa dhe apartamente në zona si Selita, Astiri dhe Njësia 5 në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga procesi i rivlerësimit të pasurive.



