back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetLigji i ri për ushqimin e sigurt, garanci për konsumatorin apo barrë...

Ligji i ri për ushqimin e sigurt, garanci për konsumatorin apo barrë për bizneset?

Në një kohë kur siguria ushqimore është kthyer në një nga shqetësimet më të ndjeshme të qytetarëve, qeveria shqiptare ka hedhur për diskutim një projektligj të ri, i cili synon të vendosë standarde më të larta dhe kontrolle më rigoroze mbi tregun e ushqimeve.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar për konsultim draftin “Për kontrollet zyrtare”, një dokument i hartuar mbi bazën e direktivave të Bashkimit Europian. Ky projektligj nuk kufizohet vetëm tek ushqimi që përfundon në tryezën e konsumatorit, por përfshin gjithë zinxhirin – që nga kafshët në ferma, shëndeti i bimëve, përdorimi i pesticideve, deri te produktet organike dhe specialitetet tradicionale që shiten në treg.

Kontrollet mbi bazë risku dhe transparencë për publikun

Sipas draftit, kontrollet do të kryhen mbi bazë risku, duke marrë parasysh jo vetëm sigurinë ushqimore, por edhe cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Autoritetet do të monitorojnë gjithashtu etiketimin e produkteve organike dhe përdorimin e emërtimeve të mbrojtura të origjinës.
Një element i ri është transparenca: një herë në vit, institucionet do të publikojnë për qytetarët të dhëna mbi numrin e kontrolleve të kryera, shkeljet e konstatuara dhe masat e marra ndaj operatorëve.

Institucionet që do të mbajnë përgjegjësi

Projektligji përcakton qartë se Ministria e Bujqësisë do të ketë rolin koordinues qendror, ndërsa struktura të dedikuara si Inspektorati i Përgjithshëm për Kontrollet Zyrtare (IPKZ) dhe ai për pikat kufitare (IPKPKK) do të mbajnë mbi shpatulla barrën e inspektimeve.
Për të garantuar profesionalizmin, veterinerët dhe zyrtarët e shëndetit të bimëve do të emërohen me shkrim dhe do të trajnohen vazhdimisht. Po ashtu, autoritetet përgjegjëse do t’i nënshtrohen auditimeve të brendshme për të shmangur abuzimet dhe për të forcuar besimin e publikut.

Tarifat dhe gjobat, mekanizëm parandalues

Një tjetër risi që sjell projektligji është vendosja e tarifave për operatorët ekonomikë, të cilat do të shërbejnë për të mbuluar kostot e kontrolleve. Ndërkohë, ata që shkelin ligjin do të përballen me gjoba të ashpra.
“Kostoja e mosrespektimit të ligjit do të jetë më e lartë se respektimi i tij”, theksohet në relacionin shoqërues të draftit, duke nënvizuar se gjobat janë menduar si mekanizëm parandalues dhe jo vetëm ndëshkues.

Detyrime të reja për industrinë

Operatorët e tregut ushqimor do të kenë detyrime më të mëdha: ata duhet të garantojnë akses për inspektorët në çdo moment, të vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për çdo proces. Për çdo vendim të marrë ndaj tyre, ata do të kenë të drejtë ankimi, por kjo nuk i shpëton nga masat e menjëhershme në rast se konstatohet rrezik për shëndetin publik.

Hapi drejt standardeve të BE-së

Ky projektligj shihet si një hap i rëndësishëm për të afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore. Struktura e re e kontrolleve, transparenca e detyrueshme dhe rregullat për financimin e tyre janë pjesë e një procesi më të gjerë të përafrimit me legjislacionin europian.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të pritet ky ligj nga operatorët e tregut, sidomos ata më të vegjël, të cilët mund të preken nga tarifat e reja. Konsultimi publik pritet të sjellë edhe sugjerime apo kundërshti, ndërsa qeveria ka dhënë një mesazh të qartë: siguria ushqimore nuk është më thjesht një çështje teknike, por një prioritet kombëtar ku shkeljet do të kenë pasoja të ndjeshme financiare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat