Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Liljana Elmazi Billa, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj ish-kolegëve të saj demokratë, duke i akuzuar se përfitojnë nga taksat e qytetarëve ndërkohë që demokratët e thjeshtë vuajnë mungesën e pushtetit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Billa shprehet se disa deputetë dhe ish-funksionarë të PD-së vazhdojnë të marrin të ardhura nga qeveria, edhe pse partia ka qëndruar 13 vite jashtë pushtetit. “Doni të dini kush i merr paratë e taksave që paguajmë ne? Ka deputetë tanë dhe ish-funksionarë që përfitojnë nga kjo qeveri. Ai që pasurohet në opozitë nga taksat tona është më llumi i llumit,” shkruan Billa.
Ajo thekson se pas këtyre përfitimeve financiare fshihen interesa të errëta dhe lidhje të fshehta, ndërsa qytetarët mbeten të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer.
Billa gjithashtu vë në dukje kontrastin mes situatës së deputetëve që përfitojnë dhe gjendjes së demokratëve të thjeshtë, të cilët, sipas saj, kanë përjetuar vështirësi për shkak të mungesës së pushtetit politik.