Qeveria shqiptare ka hartuar për herë të parë një kuadër ligjor për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, me qëllim vendosjen e rregullave të qarta për ndërveprimin midis zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.
Sipas qeverisë, projektligji “Për lobimin” synon të bëjë proceset e politikë-bërjes më transparente dhe të gjurmueshme, duke përfshirë ndërveprimet midis biznesit, organizatave të shoqërisë civile, grupeve të ekspertëve dhe vendimmarrësve publikë.
“Qeveria propozon Projekt-ligjin ‘Për Lobimin’: një instrument i ri për transparencë, integritet dhe besim në vendimmarrjen publike,” – deklarojnë burime nga qeveria.
Projektligji parashikon regjistrimin e çdo individi ose subjekti juridik që angazhohet në lobim, si dhe deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj. Po ashtu, vendoset detyrimi për raportim të rregullt mbi aktivitetet e lobimit, respektimin e Kodit të Sjelljes dhe parimeve etike profesionale, si dhe deklarimin e konfliktit të interesit.
Lobimi si instrument ligjor kundër korrupsionit
Ky projektligj ka në qendër parimin e transparencës dhe parandalimit të korrupsionit. Përmes regjistrit publik të lobimit, çdo kontakt, kontratë apo shpenzim do të jetë i deklaruar dhe i verifikueshëm, duke mundësuar gjurmimin e burimeve të ndikimit dhe të interesave të përfaqësuara.
Projektligji gjithashtu vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit nga vetë zyrtarët publikë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë pas përfundimit të funksionit të tyre.
Qeveria nënvizon se miratimi i këtij projektligji do të forcojë standardet e besueshmërisë institucionale, duke e pozicionuar Shqipërinë në linjë me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur, transparencën dhe integritetin publik.
Ky hap reformues konsiderohet një moment kyç në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian dhe konsolidimit të një mirëqeverisjeje të bazuar në ligj dhe transparencë.



