Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për kandidaturën e Ogerta Manastirliut për kryetare të Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar atë si një hap të guximshëm dhe të merituar.
Në një postim publik, Balluku kujtoi rrugëtimin e përbashkët me Manastirliun ndër vite, duke e vlerësuar si një politikane punëtore, të përkushtuar dhe me dashuri për njerëzit.
“Prej vitesh kemi ndarë beteja, miqësi, ëndrra dhe plane për fëmijët tanë, biseda të pafundme dhe momente që nuk harrohen… Sot e shoh me zemrën plot, tek merr një hap të guximshëm për të kandiduar si kryetare e Bashkisë Tiranë, lokomotivës së Shqipërisë. E njoh mirë, e di sa shumë punon, sa shumë i do njerëzit dhe sa sinqerisht kujdeset për çdo gjë që merr përsipër. Jam krenare për ty, dhe nuk ka nevojë të të them që na ke të gjithëve në krah, në këtë betejë të re që do e fitosh si ti gjithmonë di,” shkroi Balluku.
Kandidatura e Manastirliut për Tiranën shihet si një nga sfidat kryesore elektorale të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa mbështetja e figurave të larta të qeverisë, si Balluku, konfirmon rëndësinë që mazhoranca i jep garës për kryeqytetin.