Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot një ofensivë të re të rëndë për të shkulur nga rrënja fenomenin e të ashtuquajturave “varreza makinash”, duke e cilësuar situatën në Shqipëri si unike dhe primitive në kontekstin evropian.
Gjatë një prezantimi mbi projektligjin për trajtimin e mbetjeve, kryeministri theksoi se një nga synimet kryesore të ligjit të ri është përafrimi 100% i legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian për mbetjet.
Rama vuri në pah kontrastin ekstrem duke thënë: “Jemi besoj i vetmi vend në Evropë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera”.
Kryeministri njoftoi se një operacion për të pastruar këto zona ka nisur tashmë dhe do të vazhdojë në mënyrë sistematike.
Një aspekt kyç i ligjit të ri do të jetë futja e parimit të “përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit”. Kjo do të detyrojë prodhuesit, importuesit dhe shpërndarësit të marrin përsipër trajtimin e produkteve të tyre në fund të ciklit të jetës së tyre, si automjetet, pajisjet elektrike dhe elektronike, si dhe ambalazhet. Rama theksoi se aktualisht Shqipëria “s’ka akoma” këtë detyrim.
Ky ligj, i cili pritet të miratohet në Kuvend brenda këtij viti, synon të rregullojë jo vetëm çështjen e makinerive të përdorura, por të gjithë sektorin e trajtimit të mbetjeve, duke e çuar atë në standardet evropiane dhe duke hapur rrugën për negociatat në kapitullin mjedisor, të cilat Rama e ka vlerësuar vazhdimisht si një nga sfidat më të mëdha për integrimin europian.