back to top
33.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025
spot_img
KreuAktualitet"Luftë" e ashpër në PS/ A po pastrohet realisht administrata?

“Luftë” e ashpër në PS/ A po pastrohet realisht administrata?

Deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar pas largimeve të fundit të disa drejtorëve në Bashkinë e Vlorës, të cilat erdhën pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për dorëheqje. Në një reagim publik në Facebook, Koçi e cilëson këtë si një “ofensivë ndaj Republikës së Drejtorëve”, duke e konsideruar të domosdoshme pastrimin e administratës nga drejtues të përhershëm e të korruptuar.

Sipas tij, një nga problemet kryesore të administratës lidhet pikërisht me drejtuesit lokalë që qëndrojnë në poste prej vitesh, pavarësisht ndryshimeve të ministrave apo deputetëve. “Janë arrogantë, mospërfillës dhe shpesh të korruptuar,” shkruan ai.

Koçi ka rikujtuar edhe betejën që ndërmori në vitin 2020, kur mori drejtimin e Partisë Socialiste në Fier, duke goditur ashpër administratën në nivel vendor dhe qendror. Ai thekson se ndonëse kjo u interpretua si përçarje, rezultati pozitiv në zgjedhjet e vitit 2021 tregoi se qytetarët vlerësojnë ndëshkimin e korrupsionit dhe jo kompromisin me të.

Deputeti socialist ka folur edhe për presionet që ka përjetuar gjatë kohës që denonconte skemat e korrupsionit, përfshirë edhe ndëshkimin e anëtarëve të partisë për simpati publike ndaj tij. Ai përmendi si shembull largimin nga puna të një pastruese vetëm pse kishte bërë “like” në postimet e tij, ndërsa kritikoi edhe mungesën e reagimit të menjëhershëm institucional për rastet e tilla.

Koçi përfundon duke theksuar se lufta ndaj korrupsionit nuk përçan partinë, por përkundrazi e bashkon dhe e pastron. Ai mbështet plotësisht nismën e kryeministrit Rama dhe shprehet se edhe qyteti i Fierit e pret me padurim një spastrim të tillë.

“Fatkeqësisht, ka ende nga ata ‘socialistë’ të pasuruar që vazhdojnë ta quajnë luftën ndaj korrupsionit si përçarje. Por unë besoj se kjo nismë e Ramës është e drejtë dhe e vonuar,” përfundon Petro Koçi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat