Përplasja e fortë mes aksionerëve të “Vlora International Airport – VIA” ka marrë një kthesë të papritur, teksa Prokuroria e Tiranës ka pranuar një kallëzim të ri penal nga Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit të njohur kosovar Behgjet Pacolli, që zotëron 98% të aksioneve të aeroportit.
Ky kallëzim, i depozituar pas marrjes në pyetje të vetë Emin Pacollit, shënon kalimin e vëllezërve Pacolli nga mbrojtja në sulm, pasi për muaj të tërë kanë qenë në qendër të hetimeve për konfliktin e brendshëm të kompanisë.
Sipas burimeve të gazetarit Elton Qyno, Emin Pacolli ka kallëzuar penalisht tre persona:
Valdon Ademi, aksioner në minorancë (2% të aksioneve në VIA),
Valbona Selimi, noterja ku është firmosur kontrata,
dhe Valon Lluka, ish-administratori i kompanisë.
Pacolli i akuzon ata për “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim dokumentesh”, duke pretenduar se kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme 47% të aksioneve të aeroportit të Vlorës.
Në kallëzimin e tyre, Pacollët deklarojnë se nuk janë paraqitur asnjëherë te noterja Valbona Selimi, duke e akuzuar atë për legjitimim të rremë të kontratës noteriale dhe falsifikim të firmave.
Prokuroria, ndërkohë, ka nisur ekspertizën grafologjike të firmave dhe shkrimeve, për të përcaktuar autenticitetin e dokumenteve.
Në të njëjtën kohë, është lëshuar fletëthirrje për Behgjet Pacollin, i cili pritet të dëshmojë në ditët në vijim për konfliktin që po trondit aksionerët e aeroportit strategjik.
Një betejë juridike me miliona euro në mes
Kjo çështje pritet të bëhet një nga më të ndjekurat në muajt e ardhshëm, pasi në lojë janë interesa të mëdha financiare dhe reputacioni i një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore të vendit.
Hetimet e Prokurorisë janë zgjeruar edhe drejt bankës BKT, ku është marrë një kredi prej 56 milionë eurosh, si dhe ndaj disa kontraktorëve të përfshirë në ndërtimin e aeroportit.
Ndërkohë, Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar një kërkesë për sigurim padie, duke pezulluar Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të VIA dhe bllokuar të drejtën e votës së “Mabco Constructions SA”, shoqërisë që zotërohet nga Pacollët, derisa të sqarohet pronësia e 49% të aksioneve.
Ndërsa Valon Ademi pretendon se ka blerë 47% të aksioneve dhe ka kryer pagesën përkatëse, Pacollët thonë se kjo “marrëveshje” është një mashtrim i pastër.
Tani, është radha e prokurorisë të hedhë dritë mbi një konflikt që ka tronditur biznesin ndërkufitar dhe projektin më të rëndësishëm ajror në jug të vendit.



