Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Vlorë politikat fiskale për karburantet, duke justifikuar përjashtimin nga taksat për naftën që përdoret nga jahtet dhe anijet turistike, ndërsa për qytetarët ajo mbetet e taksuar.
Gjatë një takimi me operatorë turistikë, Rama theksoi se zhvillimi i marinave dhe rritja e pranisë së jahteve janë kyçe për ekonominë dhe turizmin elitar në vend.
“Çfarë do të thotë që nafta për jahtet është pa taksë dhe për makinat me taksë? Pa diskutim fare. Sepse nga jahtet ekonomia jonë fiton, ndërsa nga makinat mjedisi ynë ndotet,” u shpreh ai.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve për qytetarët mbeten të larta, duke nxitur debat mbi diferencimin e politikave fiskale mes përdoruesve të zakonshëm dhe sektorit të turizmit luksoz.
Rama shtoi se Vlora ka potencialin të shndërrohet në një destinacion të ngjashëm me qytetet turistike në Portugali, Spanjë apo Turqi, ku jo vetëm vizitorët, por edhe të huajt zgjedhin të jetojnë për periudha të gjata.
Ai theksoi se qeveria po investon në zgjerimin e marinave dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike, ndërsa nënvizoi edhe nevojën për më shumë hapësira parkimi dhe për mirëmbajtjen e pastërtisë në zonat bregdetare.
Deklaratat e Ramës pritet të nxisin reagime, sidomos për diferencimin e taksave mbi karburantet, që prek drejtpërdrejt qytetarët dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.



