Situata në Durrës është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e prurjeve të larta të lumit Erzen, që ka dalë nga shtrati, duke përmbytur zona të banuara dhe tokë bujqësore. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të rreth 500 banorëve nga njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Situata më kritike paraqitet në fshatin Erzen, ku çarja e argjinaturës ka detyruar ndërhyrjen e autoriteteve për largimin e banorëve. Përmbytje janë regjistruar edhe në fshatrat Katund i Ri, Katund Sukth dhe Fllakë, ndërsa në total janë përmbytur rreth 500 hektarë tokë bujqësore.
Në Sukth, përmbytjet kanë prekur pjesë të qytetit, kryesisht zonat pranë lumit Erzen dhe lagjet 2, 3 dhe 4, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe probleme në banesa. Në zonat Sukth, Hamallaj, Rrushkull, Perlat, Kullë dhe Vadardhë janë nën ujë rreth 2,000 hektarë tokë bujqësore.
Të gjitha strukturat përgjegjëse dhe mjetet e rënda janë angazhuar në terren për riparimin dhe forcimin e argjinaturës, ndërsa hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë për përballimin e emergjencës.
Situata mbetet problematike edhe në lagjet periferike të Durrësit, ku uji, edhe pse po tërhiqet nga rrugët, vazhdon të jetë i pranishëm në banesa. Urdhër evakuimi i menjëhershëm është dhënë gjithashtu edhe për Vlorën dhe Fierin, për shkak të rrezikut të përmbytjeve.



