Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me procesin e përzgjedhjes në Bankën e Shqipërisë, duke theksuar se angazhimi i tij nuk kishte si synim një post, por një shërbim ndaj vendit.
Malaj sqaron se aplikimi i tij lidhej edhe me tërheqjen nga një proces gjyqësor dhe pushimin e një vendimi që, sipas tij, është primitiv nga KMBSH, ndërsa paralajmëron se dëmshpërblimi në këtë çështje mund të arrijë mbi 350 mijë euro, barrë që do të binte mbi taksapaguesit shqiptarë. Ai njofton se ditën e nesërme do të bëjë publike edhe kopjen e aplikimit të tij, duke theksuar se aplikimet për poste publike nuk ndalohen me vendim gjyqësor.
“Banka e Shqipërisë është e Shqipërisë dhe jo e asnjë kryeministri”, shkruan Malaj, ndërsa i uron suksese ekipit drejtues të Bankës së Shqipërisë dhe kandidatëve që do të përzgjidhen.
Në reagimin e tij, Malaj ngre shqetësimin për mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, duke theksuar se ekziston një detyrim i qartë ligjor dhe institucional për publikimin e listës së konkurrentëve. Ai nënvizon se procesi në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar me transparencë maksimale, në përputhje me parimet kushtetuese të llogaridhënies dhe barazisë para ligjit.
Sipas Malajt, mosbërja transparente e listës së konkurrentëve nuk është çështje vullneti politik dhe as kompetencë personale e Kryeministrit, por përgjegjësi direkte e Këshillit të Ministrave. Ai thekson se transparenca në proceset konkurruese është detyrim ligjor dhe jo dëshirë apo favor.
Në përfundim, Malaj paralajmëron se qeverisjet pa transparencë cenojnë parimet themelore të mirëqeverisjes, si barazia, meritokracia, paanshmëria dhe besimi i publikut në institucionet shtetërore.



