Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur sot mbledhjen për procedurat që lidhen me garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas informacioneve, mandati aktual i kreut Altin Dumani pritet të përfundojë më 18 dhjetor. Në këtë kuadër, KLP ka përcaktuar një afat 3-javor për kandidatët e interesuar që të paraqesin aplikimet e tyre.
Gjatë kësaj periudhe, kandidatët do të duhet të dorëzojnë jo vetëm kërkesën për pjesëmarrje, por edhe platformat e tyre mbi mënyrën se si synojnë të drejtojnë institucionin. Këto dokumente do të shërbejnë si bazë për vlerësimin dhe intervistimin që do të zhvillohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Procesi i përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK pritet të jetë një nga më të rëndësishmit në sistemin e drejtësisë, për shkak të rolit kyç që ky institucion ka në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.