back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 17 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetMandati i konfliktit: Si po përpiqet Adriatik Lapaj të hyjë në Kuvend

Mandati i konfliktit: Si po përpiqet Adriatik Lapaj të hyjë në Kuvend

Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të siguruar mandatin e vetëm të fituar nga kjo forcë politike në zgjedhjet e 11 majit, në kuadër të koalicionit me “Nismën Thurje”.

Në një kërkesë zyrtare drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), “Shqipëria Bëhet” kërkon që të shpallen të pavlefshme revokimet e dorëheqjeve nga kandidimi të dhëna nga disa kandidatë të listës së koalicionit në Qarkun Tiranë, të cilët pretendojnë të rikthehen në garë për mandatin.

Në shkresën e depozituar pranë KQZ-së, theksohet se dorëheqjet janë bërë përpara procesit të votimit dhe numërimit të votave, më konkretisht më 11 maj 2025, dhe për këtë arsye nuk mund të konsiderohen dorëheqje nga mandati – pasi ky i fundit ende nuk kishte ekzistuar.

“Dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit”, thuhet në letrën drejtuar KQZ-së.

Sipas argumentimit të “Shqipëria Bëhet”, revokimi i këtyre dorëheqjeve nuk ka bazë ligjore, dhe mandati duhet t’i kalojë kandidatit pasues në listë, në përputhje me ligjin për zëvendësimin e mandateve. Kjo do të thotë që mandati duhet t’i takojë Adriatik Lapajt, si kandidat i renditur pas atyre që hoqën dorë.

“Mandati i fituar në Qarkun Tiranë të shpërndahet sipas listës së hapur”, thuhet në kërkesë, duke nënvizuar se nuk kemi të bëjmë me dorëheqje pas zgjedhjeve, por me heqje dorë nga kandidimi përpara tyre.

Ky zhvillim hap një tjetër kapitull në debatin mbi interpretimin e ligjit zgjedhor dhe të drejtën për përfaqësim, duke vënë në qendër të vëmendjes përplasjen mes dy partnerëve të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Tashmë pritet vendimi i KQZ-së, i cili do të përcaktojë nëse mandati i vetëm i këtij koalicioni do të përfundojë në duart e Lapajt, apo në duart e një kandidati tjetër që kërkon të rikthehet pas dorëheqjes së dhënë para zgjedhjeve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat