back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetMandati që ndau “Shqipëria Bëhet”/ KAS mbron vendimin e KQZ

Mandati që ndau “Shqipëria Bëhet”/ KAS mbron vendimin e KQZ

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar sot ankimimin e nismës “Shqipëria Bëhet”, duke i dhënë mandatin e deputetes në qarkun Tiranë Ana Lajkut, e renditur në listën e mbyllur të koalicionit. Vendimi u mor pas shqyrtimit të pretendimeve të Adriatik Lapajt, i cili këmbëngulte se mandati duhej t’i takonte një kandidati nga lista e hapur.

Çështja u shqyrtua nga relatori Elvis Çefa, ndërsa në seancë pati debat mes anëtarëve të KAS dhe përfaqësuesve të “Shqipëria Bëhet”. Një nga pikat e diskutimit ishte dorëheqja masive e kandidatëve të listës së mbyllur më 11 maj, ditën e zgjedhjeve  dhe vlefshmëria e këtyre dorëheqjeve.

Anëtari i KAS, Ilir Rusmajli, ngriti shqetësimin nëse dorëheqjet në heshtje, pas nisjes së votimit, përbënin një “pabesi” ndaj elektoratit.

“Fakti që ata kanë zgjedhur të gjithë në një mendje të japin dorëheqjen më 11 maj, nuk është një lloj pabesie ndaj elektoratit? Njerëzit i kanë votuar këta kandidatë pa pasur dijeni për këtë,” tha Rusmajli.

Përfaqësuesi i “Shqipëria Bëhet” e hodhi poshtë këtë cilësim, duke theksuar se dorëheqjet ishin vendime individuale dhe nuk përbëjnë shkelje ligjore.

Ndërkohë, KQZ kishte pranuar më parë revokimin e dorëheqjes nga Kleana Xhuveli, kandidate e renditur e katërta në listën e mbyllur, duke i dhënë asaj mandatin. Lapaj kundërshtoi këtë vendim, duke argumentuar se dorëheqjet ishin të pakthyeshme dhe se përfaqësimi duhej t’i kalonte listës së hapur, bazuar në votat e qytetarëve.

Megjithatë, KAS i dha të drejtë vendimit të KQZ, duke legjitimuar revokimin e dorëheqjes së Kleana Xhuvelit dhe shpallur fituese Ana Lajkun.

Ky vendim pritet të thellojë më tej debatet brenda koalicionit “Shqipëria Bëhet” dhe të hapë diskutime për qartësinë e rregullave zgjedhore lidhur me listat e hapura dhe dorëheqjet e kandidatëve në ditën e votimit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat