Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Partia Demokratike nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe do të vazhdojë të luftojë për krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Në një reagim të fortë, Berisha akuzoi se procesi zgjedhor është manipuluar nga ajo që e quajti “narkonomenklatura”, duke e konsideruar mandatin e deputetëve si “letra pa vlerë”.
Ai u shpreh se rinumërimi i votave vetëm nxori në pah manipulimet, duke përmendur rastin e deputetit Ceno Klosi, të cilin e krahasoi me figura historike të regjimit komunist.
“Shikoni çfarë janë, nuk ka rëndësi vullneti i qytetarit. Brenda 5 orëve mandatin e një zonje e bënë të paqenë dhe ia dhanë Zegjinejës. Ja çfarë janë, ja si votuan, ja si i numëruan,” tha Berisha.
Lideri opozitar akuzoi gjithashtu mungesën e transparencës dhe manipulimin e rezultatit, duke shtuar se ky rezultat nuk pasqyron vullnetin real të qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike do të vazhdojë të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, sipas Berishës.