Juristi Ylli Manjani ka komentuar shkarkimin e Erion Veliajt nga Bashkia e Tiranës, duke e cilësuar si një moment kritik në jetën politike të kryebashkiakut. Sipas Manjanit, një apelim i Veliajt në Gjykatën Kushtetuese mund t’i japë kohë Partisë Demokratike që të zgjedhë kandidatin më të përshtatshëm për të sfiduar PS-në.
“Veliaj ka vendimin më të rëndësishëm politik të jetë vetë. Nëse do zgjedhë të ankohet, mund të ndihmojë kundërshtarin, pavarësisht se çfarë thotë PD-ja. Partia e dytë më e madhe nuk ka alternativë zyrtare dhe i duhet kohë për të zgjedhur kandidatin e duhur. Këtë kohë mund ta japë Erion Veliaj, qoftë me negociatë, qoftë padashje”, tha Manjani për Euronews Albania.
Ai shtoi se ekziston edhe një skenar tjetër, ku Veliaj mund të mos bëhet pengesë për Partinë Socialiste dhe të mbështesë kandidaturën e Ogerta Manastirliut.
“Ose ai mund të vendosë të mos pengojë PS-në dhe të mbështesë Manastirliun. Veliaj është në izolimin e vet më të thellë dhe duhet të marrë vendime të mençura, duke zgjedhur mes interesit të tij personal për gjyqin dhe akuzat, ose të veprojë korrekt ku ka shërbyer”, tha Manjani.
Analisti theksoi se mënyra se si Veliaj do të veprojë në ditët në vijim mund të ndikojë jo vetëm në karrierën e tij, por edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në balancën e forcave mes partive në Tiranë.



